|
albania-sport.com, 7 Korrik
Halili: “Slishkoviç, trajner i madh”. Kroati: “Unë tifozi nr.1 i Tiranës”
“Besoj se trajneri nuk kemi gabuar dhe dua t’u garantoj se sezoni futbollistik i Tiranës do të përfundojë më këtë trajner, çfarëdo rezultati që do të ketë Slishkoviç me Tiranën”. Ky ishte qëndrimi zyrtar i presidentit të radhës së 23-herë kampionëve të Shqipërisë, Refik Halili, gjatë prezantimit zyrtar të trajnerit të ri të bardhebluve, boshnjako-kroatit Bllazh Slishkoviç në një nga restorantet me luksoze të kryeqytetit, “Austria”, pronë e donatores së Tiranës, Shefikat Ngjela, në praninë e një numri të madh të gazetarëve sportivë dhe medias elektronike.
NDJESË MEDIAS
“Ju kërkoj falje dhe ju gazetarëve që nuk kemi arritur t’iu japim një informacion shumë të saktë. Arsyeja ka qenë, se në momentin kur të dalë një informacion prej meje, apo edhe si klub, të jetë një informacion i saktë, dhe të mos bëjmë lëvizje mbrapa. Ju kërkoj ndjesë edhe për të gjithë këtë kohë, gjatë së cilës nuk kemi arritur të komunikojmë direkt”, - tha presidenti Refik Halili, i cili së bashku edhe me tre donatorët e tjerë, Shefikat Ngjela, Agron Papuli e Avni Nuri (të pranishëm në konferencë), nis sezonin e pestë futbollistik në krye të klubit më të pasur në Shqipëri.
SHUMË PUNË
“Është dashur një punë shumë, shumë e madhe për të arritur të formojmë ekipin e Tiranës. Në radhë të parë është dashur të caktohet trajneri. Pas emërimit të tij do të vazhdojë edhe puna për të përcaktuar se dhe kush do të jenë lojtarët e Tiranës, të cilët tifozeria jonë me zor i pret. Duam të jenë futbollistë që ia vlejnë, lojtarë që të na përfaqësojnë me dinjitet gjatë këtij kampionati”, - shtoi Halili, i cili gjatë presidencës së tij, synon rikthimin e shpejtë te titulli kampion i Tiranës, e cila sezonin e kaluar u rendit në vendin e gjashtë në kampionat, por humbi edhe për shkak të politikës së kontratave me shumë se gjysmën e ekipit.
TRAJNER I MADH
“Pas disa mbledhjeve të gjata me donatorët, kemi rënë dakord në përcaktimin e disa pikave thelbësore. Kemi arritur që të sjellim një trajner, një emër të madh në futboll, një trajner që meriton që të jetë trajner i Tiranës. Ne kemi biseduar gjatë me të, kemi përfunduar kontratën të shkruar edhe në shqip edhe në gjuhën angleze. Kemi mbaruar të gjitha detyrimet dhe trajneri pret të fillojë punë, që do të fillojë pasnesër (10 korrik), meqenëse bie e mërkurë dhe mbase dita e mërkurë mund të jetë një ogur i mirë”, - tha Halili. Trajneri Slishkoviç do të përfitojë 75 mijë euro në sezon, ndërkohë që në dorë ka marrë 1/3 e shumës së kontratës, pra 25 mijë euro. “Nuk kam pasur asnjë menaxher ndërmjetës për trajnerin, Kam arritur ta sjell përmes një lidhje bashkëpunimi që kam krijuar me presidentin e Dinamos së Zagrebit me ndërmjetësimin e ish-futbollistit Besnik Prenga”.
EKIP KAMPION
“I kemi vënë në dispozicion të trajnerit gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Kemi bërë një konsultë të gjatë me trajnerin Sulejman Mema, të cilin gjej rastin ta falënderoj, me Indrit Fortuzin, Alban Tafaj, të cilët së bashku kanë punuar me dokumentacionin dhe hartimin e kontratave”, - tha Halili. Unë i premtoj gjithë tifozerisë së Tiranës se do të ndërtojmë një ekip të mirë. Kemi pasur vetëm dy futbollistë, janë larguar nga ekipi më shumë se 50 për qind e lojtarëve, por më në fund kemi arritur të përcaktojmë pak a shumë futbollistët e Tiranës. “Me këtë kontingjent që kemi në dispozicion unë mendoj se ne do të jemi pretendentë për titullin kampion, prandaj edhe kemi vendosur të marrim një trajner dhe një staf mjaft të madh”.
POLITIKË E RE
“Shtrirjet tona si klub do të shkojnë deri të grupmoshat, pasi po shohim se ekipi ynë nuk po furnizohet me lojtarë të rritur te ekipet e moshave, dhe prandaj ne detyrohemi të marrim futbollistë nga jashtë shtetit. Për seleksionim e lojtarëve në ekipet e moshave do të merret firma e pesë drejtuesve të trajnerëve, të cilët janë Sulejman Mema, zëvendëstrajneri (ndihmësi i Slishkoviçit), Indrit Fortuzi, Alban Tafaj e trajneri i portierëve, nga ekipi i parë e deri te ata të moshave”, -shpalli Halili projektin e ri klubit. “Për grup moshat, trajnerët e tyre do të paguhen nga klubi dhe jo më nga fëmijët. Deri në atë kohë do të bëjmë fushat e tyre. U kërkojmë grupmoshave, që nuk u jemi kushtuar shumë atyre, pasi jemi marrë më shumë me ekipin e parë”.
INVESTIME NË INFRASTRUKTURË
“Përsa i përket investimeve në infrastrukturë, që ne kemi bërë gjatë katër viteve mund t’ua vëmë në dispozicion edhe me pamje fotografike apo situacione punimesh. Fondi i dhënë nga Bashkia (e Tiranës) ka qenë rreth 290 milion lekë (të vjetra), me të cilat kemi bërë një fushë (75 x 100 metra). Kemi marrë edhe nga Federata (FSHF-ja), nga titujt e shumtë kampion që ka marrë Tirana gjatë katër sezoneve të kaluara, një shumë prej 100 mijë eurosh me të cilën kemi bërë fushën me përmasat 60 x 30 metra. Çdo investim të bërë në ambiente të tjera janë financuar nga donatorët, me paratë e xhepave të tyre. Në të ardhmen, së bashku edhe me donatorët e tjerë do të investojmë në tribunat anësore në stadiumin ‘Selman Stërmasi’, përfshirë edhe orën elektronike”, - dha premtimin e radhës Halili.
KARTA ANËTARËSIE
“Deri tani thuajse nuk kemi përfituar asgjë nga investimet tona. Tani kemi projektuar një politikë të re, që fillon nga kartat e anëtarasisë së tifozëve e deri te dhënia e të drejtës televizive. Po ju them vetëm një fakt që e kam thënë dikur për një gazetë. Për sezonin futbollistik 2006-2007 ne morëm nga biletat vetëm 11 milionë lekë të vjetra që është një turp shumë i madh. Kemi kërkuar dhe kemi bërë një kontratë me klubin e Tiranës, do të menaxhojmë vetë stadiumin. Pjesën tjetër do ta mbulojmë ne donatorët”.
KRENAR TË JEM TRAJNER I TIRANËS
“Fillimisht do të doja të përshëndesja gazetarët dhe të gjithë ju që jeni sallë. Kam shtatë ditë që jam në Tiranë dhe jam shumë i kënaqur me pritjen dhe i mahnitur me qytetin”, - tha trajneri i ri i Tiranës, Bllazh Slishkoviç, i cili ka qenë më parë në Shqipëri si lojtar i Velezhit në një ndeshje kundër Flamurtarit në vitet 1980. “Është krenari për mua të drejtoj ekipin e Tiranës. E di që kam ardhur te ekipi më i mirë, që ka më shumë tituj kampionë, dhe është ekipi më i mirë në Shqipëri. Qëllimet e klubit dhe presidentit janë që të bëhet sërish më i miri.
VLEËSIME PËR ISH-TRAJNERËT
“Detyrimet e mia janë edhe më të mëdha, që unë si trajner i ri i Tiranës t’i çoj më tutje, drejt rezultateve më të mira, ashtu siç i kanë arritur edhe ish-trajnerët e mëparshme të Tiranës. Besoj se do të justifikoj vlerësimin dhe besimin që më kanë dhënë presidenti dhe donatorët e klubit”, - tha “Baka”.
NJË VIT KONTRATË
“Megjithëse kam nënshkruar për një vit do të dëshiroja që të vazhdonim të punonim edhe vite te tjera së bashku. I kam parë kushtet e stërvitjes së klubit të Tiranës, dhe në përgjithësi jam i kënaqur. Njoh më shumë gojarisht edhe ekipin e Tiranës, lojtarët që e përbëjnë atë”, - tha Slishkoviç. “Kur erdhi Slishkoviç në Tiranë, - tha Halili, - ai erdhi për të nënshkruar një kontratë dyvjeçare. Dua t’u them se nuk është e lehtë për një të huaj që shkel për herë të parë në një vend të huaj. Slishkoviç pranoi të nëshkruante një kontratë njëvjeçare, duke shtuar se nëse do të bënte një punë të mirë do të kërkonte të nënshkruante edhe për disa vite tjera. Dua t’u garantoj se sezoni futbollistik i Tiranës do të përfundojë më këtë trajner, çfarëdo rezultati që do të ketë Slishkoviç me Tiranën”.
MEZI PRES TË FILLOJ
“Besoj se në 14-15 ditët e para do t’i njoh mirë lojtarët dhe do të kem një pamje të Tiranës më të mirë sesa sot. E di që presidenti dhe njerëzit e tjerë që merren me ekipin kanë bërë përforcimet e duhura, megjithatë atë unë kam kërkuar që pas dy javësh të fillojmë edhe përforcim thelbësor e kryesor në ekip. Mezi pres që të filloj të punoj, që kampionatin shqiptar ta nisim sa më mirë si ekip. Si mund të luajmë? Garantoj se do të luajmë bukur dhe fort, ashtu si ka luajtur Tirana edhe vite më parë, përpara se të vija unë. Do të luajmë me një theks sulmues..
UNË, TIFOZI NUMËR 1
“Në ekip do të mundohem që sa më shumë elementi i ri i dalë nga moshat e Tiranës të kenë hapësirë. Një gjë është e sigurt se bluzën e Tiranës do ta veshë ai që jep maksimumin në stërvitje dhe e meriton këtë bluzë që është shumë e rëndësishme. Që në momentin që kam nënshkruar kontratën jam tifozi më i madh i Tiranës dhe do të bëj gjithçka, që Tirana të fitojë”. Tifozeria e Tiranës është dhe lojtari i 12-të i bardhebluve e mësuar gjithmnonë me lojëra të bukura dhe me tituj, por edhe kontestuesja më e madhe e trajnerëve. “Jam në dijeni të tifozëve të Tiranës. Unë besoj se me lojën që do të bëjë ekipi, kritikat do të jenë të vogla dhe tifozeria do të jetë e kënaqur me mua. Futbolli luhet së pari për tifozët”.
“NUK KAM FRIKË”
Historia e trajnerëve të huaj të mëparshëm te Tirana është e trishtueshme. Asnjë prej tyre nuk e ka përfunduar sezonin. Por sa e ka marrë parasysh Slishkoviç këtë fakt. “Na vjen keq ne trajnerëve, por kjo është puna jonë. Rezultatet na bëjnë që të rrijmë apo të largohemi. Nëse do të kemi rezultate dhe ekipi do të shkojë shumë mirë do të ri. Megjithatë, unë jam i sigurt, se presidenti apo specialistët do ta kuptojnë se unë do të punoj mirë dhe në mënyrë profesionale, mund të them se edhe me rezultate jo të mira unë mund të qëndroj në punë. Nuk kam frikë nga puna”, - tha Slishkoviç.
NDIHMËSTRAJNER KROAT
Tirana nuk doli kampion sezonin e fundit dhe nuk merr pjesë në kompeticionet europiane. “Është një detyrë që më është vendosur mua për të mos ndodhur më. Besoj se kjo gjë nuk do të ndodhi”, bëri premtimin e tij Blazh Slishkoviç, i cili theksoi se ndihmën e parë të tij do ta marrë nga Kroacia. “Kam marrëdhënie shumë të mira me të, dhe kam punuar dy vite bashkë edhe te Hajduku i Splitit si ndihmëstrajner. Nga klubi do të kem një ndihmëstrajner shqiptar si dhe trajnerin e portierëve”. Te Tirana do të vazhdojë të jetë edhe përgatitësi atletik, italiani Stefano Neri. Alban Tafaj do të jetë në rolin e drejtorit teknik. “Një nga njerëzit që do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë nga ekipi i par e deri te moshat do të jetë Sulejman Mema”, - iu përgjigj presidenti Halili interesimit të gazetarëve.
STËRVITJA NË MAQEDONI
Stërvitja e Tiranës do të fillojë, më 10 korrik. Pas një testimi një javor në Tiranë, më 17 korrik skuadra do të niset drejt Strugës në Maqedoni, ku fillimisht do të qëndrojë 12 ditë. Pas tre ditëve në Tiranë, ekipi bardheblu do të riniset sërish drejt Maqedonisë.
Gazeta Shqiptare, 28 Maj
Halili, presidenti i ri i klubit Tirana
TIRANE- Refik Halili do të jetë presidenti i ri i Tiranës, duke pasuar në këtë post Bamir Topin, tashmë President i Republikës. Vendimi u mor mbrëmë pas një mbledhje prej afro tre orë e gjysmë të katërshes së donatorëve. Pas diskutimesh të shumta në lidhje me atë që do të jetë Tirana e re, presidenti i ri i klubit është zgjedhur me short. Të parit i ka qëlluar pikërisht Halilit, atij që ishte edhe favoriti kryesor përpara mbledhjes së mbrëmshme. Pas tij, do të drejtojnë Agron Papuli, Shefikat Ngjela dhe në vitin e katërt Avni Nuri. Edhe pse e merr detyrën i pari, Refik Halili ka padyshim një nga detyrat më të vështira, pasi i duhet të ringrejë një klub që për momentin duket gjysmë i shkatërruar. Vendimi i parë i tij do të jetë ai për trajnerin, që sipas asaj që përflitet në mjedisin bardheblu, do të jetë i huaj. "Detyrë tjetër e presidentit të ri do të jetë edhe rikrijimi i skuadrës, pra të mirë menaxhojë një miliard lekët që janë miratuar për sezonin e ri", deklaroi shefi i klubit Eduard Gjini. Ndryshimi i mënyrës së funksionimit te Tirana pritet të sjellë më shumë stabilitet në klub, duke parë që do të jetë presidenti ai që do të ketë fjalën e parë dhe jo katër persona njëherësh.
|
|